Etika e mësuesit, parime të kodit që përmirësojnë punën në shkolla dhe ngrenë figurën e mësuesit

Shpërndaje

 

Vënia në zbatim dhe praktikimi i këtyre parimeve të Kodit të Etikës së mësuesit, do të ndihmojë esencialisht punën në shkollat tona dhe do të ngrejë më lart figurën e nderuar të mësuesit. Sigurisht që, ka edhe norma,rregulla dhe parime të tjera, të cilat, do ta bënin më të plotë këndvështrimin për kodin e etikës së mësuesit, por që vetë dikasteret arsimore duhet tua venë në dispozicion mësuesve për t’u njohur me to dhe për ti pasur si busull orientuese në punën e tyre mësimore dhe edukative.

Mësuesi nuk mban qëndrim personal

Në mësim, ai shfaqet sa kërkues, aq edhe liberal, në kuptimin e krijimit të një klime, ku çdo kush mund e duhet t’i shfaq mendimet e tij lirshëm dhe pa asnjë kompleks.

Siguron mjedis të ngrohtë me nxënësit

Mësuesi nuk duhet të fyej, me apo pa dashje nxënësin, pavarësisht prejardhjes social kulturore. Kjo kërkon që, mësuesi të njoh që në fillim nxënësit që i janë besuar, duke u treguar i kujdesshëm në fjalorin që përdor apo komentet që bën. Kërkon mendimin e çdonjërit prej tyre për tema delikate, nxit nxënësit të respektojnë njeri – tjetrin, pavarësisht nga origjina, e kthen klasën në një mjedis të hapur e gjithëpërfshirës.

Siguron zhvillimin intelektual të nxënësve

Me punën e tij të përditshme, mësuesi kontribuon në zhvillimin intelektual të nxënësit, të paktën për sa i takon lëndës, ku jep mësim, duke nxitur tek ata besimin se mund të arrijnë suksese. Ai, nuk frymëzon diskriminimin, krijon për nxënësit me aftësi të kufizuara kushte të barabarta pjesëmarrjeje, kultivon tek ata, përmes shembullit të tij, edukatën dhe kulturën e punës.

Nuk lejon konflikte interesi me nxënësit e tij

Në punën e tij, mësuesi nxitet nga synimet psikopedagogjike dhe kërkesat akademike, nuk krijon marrëdhënie biznesi me prindërit e nxënësve, nuk i nxit nxënësit për pjesëmarrje në grupime të ndryshme politike, nuk abuzon me detyrën, duke tërhequr pas vetes për interesa përfitimi nxënës të tij për plotësime njohurish pas mësimit etj.

Respekt për kolegët

Një mësues, duhet t’i respektoj kolegët e tij dhe të punojë ngushtësisht me ta në interes të nxënësve. Mosmarrëveshjet ndërmjet mësuesve, janë thjesht personale dhe nuk duhet të ndikojnë në punën e tyre. Mësuesi nuk duhet të bëjë komente para nxënësve për një koleg të tij. Kush nuk respekton kolegun, nuk respekton veten.

Të njohë dhe të respektoj institucionin

Është në interes të zhvillimit të nxënësit, që mësuesi të njohë e respektojë objektivat që janë vënë për të përmbushur me sukses politikat e standardet e sotme të shkollës ku ai punon, të jetë indikator frymëzimi për aktorët e tjerë të interesuar për mbarëvajtjen e punës në shkollë. Mësuesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë personale dhe kolektive për mosrealizimin e objektivave.

Të vlerësoj objektivisht nxënësin

Një mësues duhet të përdorë sa më shumë metoda vlerësimi, sipas standardeve të vendosura nga shkolla. Ai është i ndërgjegjshëm për avantazhet apo disavantazhet e një metode apo të një tjetre dhe, punon, për një vlerësim sa më të gjithanshëm të tij. Vlerësimet duhet të jenë reale, të paparagjykuara dhe të alternuara. Politikat e vlerësimit, u bëhen të qarta nxënësve që në fillim të vitit shkollor. Fletët e provimit, punët e pavarura, detyrat e shtëpisë, punët praktike, vlerësohen me seriozitet e, u bëhen të ditura nxënësve në kohën e duhur, duke qartësuar çfarë kanë gabuar. Përfundimet, u bëhen të ditura edhe prindërve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *